Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Ukrainës për vitin akademik 2021-2022 ofron 5 (pesë) bursa për shtetasit shqiptarë, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në programe studimi Bachelor/ ose pasuniversitare në programe studimi Master (me kohë të plotë) në Universitetet Publike të Ukrainës.

Kandidatët e interesuar për këto bursa studimi duhet të plotësojnë kriteret sipas shtojcës 1 (bashkëlidhur) si dhe të plotësojnë formularin që gjendet në shtojcën 2 (bashkëlidhur):

Studimet akademike zhvillohen në gjuhën ukrainase dhe të gjithë kandidatët e interesuar për këto bursa studimi duhet të ndjekin kursin përgatitor në gjuhën ukrainase për vitin akademik 2021-2022.

Modalitetet lidhur me mbulimin e shpenzimeve përcaktohen pasi kandidatët të jenë pranuar nga universitetet përkatëse të Ukrainës për ndjekjen e studimeve në bazë të kualifikimit që ata zotërojnë.

Kandidatët duhet të dërgojnë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (nëpërmjet postës) deri në datën 12 mars 2021 (afati i fundit) dokumentet sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Ukrainës. Dokumentacioni duhet të shoqërohet me kërkesën e firmosur nga kandidati drejtuar MASR (ku të jepet një adresë kontakti e-maili dhe numër telefoni), duke specifikuar fushën e studimit. Dokumentet duhet të noterizohen dhe të përkthehen në gjuhën angleze.

Sqarojmë se me postë duhet të dërgohen vetëm kopjet e noterizuara të dokumentacionit të kërkuar me qëllim verifikimin e autenticitetit të tyre. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë rezervon të drejtën e verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar të panoterizuar me institucionet lëshuese të dokumentit.

Kushtet për përfitimin e bursës, përshkrimin e detajuar të programeve të studimit, si dhe informacione të tjera gjenden bashkëlidhur këtij njoftimi.

 

Burimi: Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit